‘Ballisti’ nuk do të ekstradohet në Serbi

Publikuar: 2017-07-30 13:19:42

Pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Dubrovnikut për ekstradimin e Ismail Morinës në Beograd, mediat serbe thellohen më tej në këtë çështje në lidhje me hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga autoritetet gjyqësore kroate.

 Në një intervistë për gazetën “Vecernje Novosti”, gjykatësi që mori vendimin në dëm të tifozit shqiptar, Pero Miloglav lë të kuptohet se ky vendim ka shumë mundësi të hidhet poshtë në instancat e tjera më të larta, raporton Tch.

Ai fillimisht thekson se mori vendimin në bazë të dokumenteve që kishte në tryezën e tij, por shton se tashmë çështja kalon në Gjykatën e Lartë të Zagrebit që do të japë edhe vendimin përfundimtar. Ai shton se mundësitë që Gjykata e Lartë ta zhvlerësojë ekstradimin janë të mëdha.

Gjithsesi, edhe në rast se ky organ konfirmon dënimin, shpresat për Ismail Morinën nuk do të shuhen, sepse është ministri kroat i Drejtësisë, Drago Boshnjak ai që do të thotë fjalën e fundit nëse Morina duhet të ekstradohet ose jo në Serbi.

Ministria serbe e Drejtësisë ka kërkuar transferimin e Morinës në Beograd menjëherë pasi ai u ndalua nga autoritetet kroate. Aktualisht, Gjykata e Lartë serbe ka nisur një proces ndaj tij për çështjen e ngritjes së dronit në ndeshjen eliminatore Serbi-Shqipëri të tre viteve më parë dhe sipas mediave, ai rrezikon deri në tre vjet heqje lirie.

Gjithsesi, lobimi dhe ndërtimi i kanaleve diplomatike mes Tiranës dhe Zagrebit i ngritur për këtë çështje mund ta lehtësojë pozitën e Morinës, pasi vendimi përfundimtar, ashtu siç e bën me dije edhe gjyqtari i shkallës së parë të Dubrovnikut, i takon pikërisht një anëtari të ekzekutivit kroat, ministrit të Drejtësisë, Drago Boshnjak.

Thënia e ditës

Në fund ne vetëm do të vajtojmë rastet e shfrytëzuara.
Autori i panjohur